KF Sharri riaktivizohet sërish, kjo falë inciativës së rinisë së fshatit Gllogjë, dhe gjithë atyre që e duan me zemër këtë skuadër, e cila ishte themeluar në vitin 1979, pikërisht atëherë kur ishte themeluar edhe KF Shkëndija, skuadra emblemë e Tetovës, por edhe e gjithë shqiptarisë, shkruan “infOSport.mk”.
KF Sharri nga viti 1979 deri në vitin 2000 kishte garuar gjithnjë në Ligën Komunale të Tetovës. Viti 2000 ishte periudha më e errët e kësaj skuadre, pasi për shkak financave dhe problemeve tjera teknike, kjo skuadër u shua, për tu riaktivizuar sërish vetëm pas 4 viteve (2004).
Megjithatë problemet lindën sërish dhe të njëjtit ishin të detyruar që në vitin 2006 të ndërpresin garimin.
Tashmë një frymë e re po vërehet te kjo skuadër, e mbi të gjitha kjo falë rinisë së fshatit, që thjesht e duan këtë klub dhe duan që pikërisht KF Sharri të jetë një familje e madhe që do i tubojë ata bashkë dhe do jenë gjithnjë afër futbollit, afër sportit dhe jo të bredhin rrugëve.
Vërtetë, një inciativë kjo e bukur e rinisë së fshatit Glogjë, që vlen të përshëndetet, e për më të tepër që skuadra e tyre e zemrës, KF Sharri, e ka nisur vrullshëm sezonin e ri në Ligën Komunale të Tetovës, duke regjistruar dy fitore të njëpasnjëshme me rezultatin e thellë 4:0.
Në kuadër të xhiros së parë KF Sharri mundi Shemshovën, derisa në xhiron e dytë ishin më të mirë se KF Rinia.
Të dielën që vjen, KF Sharri në terren vendas do të mirëpret KF ES Kamjanin, ndeshje kjo që do të zhvillohet në stadiumin në Tearcë, e ku gjithsesi se pritet të ketë një numër të madh tifozësh që do të përkrahin këta djelmosha të rinj, që meritojnë shumë respekt për inciativën dhe punën që po bëjnë.