Zvicra e mbylli me fitore ndeshjen e fundit të grupit 2 në Divizionin “A” në kuadër të Ligës së Kombeve, duke mundur Çekinë me rezultatin 2:1, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshja ishte e rëndësishme për të dyja kombëtaret, teksa “helvetët” me fitore do të siguronin mbetjen në divizionin “A” edhe për edicionin e ardhshëm të Ligës së Kombeve, derisa çekët pas kësaj disfate edicionin e rradhës do të luajnë në divizionin “B”, aty ku do të luaj edhe Shqipëria.
Vendasit shënuan dy gola të shpejtë pak më vonë se gjysma e pjesës së parë. Në minutën e 29-të një harkim i mrrekullueshëm i Xherdan Shaqirit, i mundësoi Remo Freuler që të shënojë për 1:0, ndërsa vetëm një minutë më vonë, Bril Embolo me një goditje nga distanca shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e mysafirëve.
Patrik Shik me golin e realizuar në minutën e fundit të pjesës së parë ktheu shpresat e çekëve se mund ti shpëtojnë disfatës dhe rënies në divizionin “B”, megjithatë nuk ndodhi asnjë ndryshim deri në fund të këtij takimi, në të cilin debutimin e tij me fanellën e Zvicrës e bëri kumanovari, Ardon Jashari.
20-vjeçari, i cili aktualisht mbron ngjyrat e skuadrës së Lucern në kampionatin zviceran, në lojë u inkuadrua vetëm në minutat shtesë të takimit, kur zëvendësoi autorin e golit të parë, Freuler.
Përveç Jasharit, te Zvicra në këtë ndeshje titullarë luajtën edhe Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, i cili u zëvendësua në minutën e 65-të.
Zvicra në kuadër të grupit 2, divizioni “A” të Ligës së Kombeve, tuboi 9 pikë, duke u renditur pas dyshes Spanjë (11 pikë) dhe Portugali (10 pikë). (infOSport.mk)