Presidenti Arbtrim Qyra tregon reçetën e suksesit të Struga Trim Lum

Struga Trim Lum pa dyshim se është befasia më e këndshme e sezonit 2022/23 në elitën e futbollit vendor. Skuadra strugane ka regjistruar 8 fitore nga po aq ndeshje të zhvilluara këtë edicion, një sukses ky i jashtëzakonshëm, i skuadrës së themeluar vetëm 7 vite më parë, që edicionin e kaluar arriti që të luaj edhe në garat europiane.

Edhe këtë vit, ambiciet e Struga Trim Lum janë garat europiane, mirëpo ky fillim i mbarë mund të rris edhe më shumë apetitet e kësaj skuadre.

Në një intervistë më të gjatë për portalin sportiv në gjuhën maqedone, “sportmedia”, numri një i Struga Trim Lum, Arbtrim Qyra ka treguar edhe reçetën e suksesve të skuadrës së tij këtë edicion.

“Si e para ne jemi një klub që funksionojmë si një familje. Secili që do të vie te Struga Trim Lum është pjesë e një familje më të gjërë. Atmosfera është shumë e mirë, futbollistët po punojnë mirë, e dinë që janë pjesë e një historie të suksesshme. Punohet maksimalisht në stërvitje, ato japin maksimumin në secilën prej tyre. Ne si drejtues të skuadrës përpiqemi të ju ofrojmë kushte maksimale. Kjo është reçeta” – është shprehur Arbtrim Qyra.

Struga Trim Lum me 24 pikë kryeson bindshëm renditjen tabelare pas 8 xhirove të para, duke lënë pas vetes Sileksin me 14 pikë, gjegjësisht Shkëndijën 12 dhe FC Shkupin 11. (infOSport.mk)

Leave a Reply