Maqedonia e Milevskit mundet sërish, humb edhe pozitën e dytë në grup

Përfaqësuesja e Maqedonisë e udhëhequr nga Bllagoja Milevski me disfatë ka mbyllur ciklin kualifikues të Ligës së Kombeve, njofton “infOSport.mk”. Maqedonia në ndeshjen e fundit në Shkup pësoi disfatë 1:0 nga Bullgaria, duke humbur kështu edhe pozitën e dytë në grupin 4 të Ligës “C”.

Në këtë disfatë të “verdhekuqve” ndikoi edhe kartoni i kuq i Todor Todorovskit që në minutën e 14-të, duke ndryshuar edhe skemat e trajnerit Milevski, i cili vetëm disa minuta më pas ishte i detyruar që të largojë Aleksandar Trajkovskin nga reparti i sulmit, duke inkuadruar në lojë Stefan Ashkovskin.

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa vetëm pas 4 minutave lojë në pjesën e dytë bullgarët përmes një kundërsulmi të shpejtë me anë të Despodov arritën të shënojë golin e epërsisë, që në fund u tregua edhe si vendimtarë në fitoren e tyre në transfertën në Shkup.

Maqedonia nuk ndaloi duke kërkuar golin e barazimit, ku realisht rastet nuk munguan, por mungoi goli, që në fund solli shumë dëshpërim në mesin e futbollistëve.

Tashmë e gjithë vëmendja do të duhet të përqëndrohet te shorti për eliminatoret e Euro2024, e ku Maqedonia do të duhet të pres nëse do të shortohet nga vazoja e katërt, apo e pestë. (infOSport.mk)

Leave a Reply