Për ta shfrytëzuar sa më mirë pushimin dy javor, për shkak paraqitjes së përfaqësueses së Maqedonisë në ndeshjet e Ligës së Kombeve, futbollistët e Makedonija Gjorçe Petrovit të udhëhequr nga tekniku shqiptarë, Muharem Bajrami përveç seancave stërvitore që po i zhvillojnë në vazhdimësi, të shtunën do të luajnë edhe një ndeshje miqësore me ekipin e Ligës së Dytë, Vardarin.
Kjo ndeshje është përcaktuar për ditën e shtunë në stadiumin e “Gjorçe Petrovit”, me fillim në ora 15:00.
Kjo do të jetë një mundësi e mirë që stafet profesionale të të dyja skuadrave të kontrollojnë formën aktuale të lojtarëve të tyre para vazhdimit të kampionatit.
Makedonija GJ.P me Bajramin në krye nuk e nisi aq mirë sezoin e ri, teksa në 8 ndeshjet e deritanishme ka marrë vetëm dy fitore, duke u renditur në pozitën e 7-të me 8 pikë. Në anën tjetër Vardari pas 5 xhirove të para në Ligën e Dytë ka tubuar 13 pikë, duke regjistruar 4 fitore dhe vetëm një barazim.
Për herë të fundit këto dy skuadra ishin takuar me 16 maj të vitit të kaluar, ndërsa ndeshja e së shtunës do të jetë e 5-ta miqësore mes këtyre dy skuadrave, ku deri më tani Vardari ka regjistruar 2 fitore, një ndeshje është mbyllur me barazim, ndërsa në një ndeshje fituese kishte dalë skuadra e Makedonija GJ.P, që njëherit kishte fituar edhe ndeshjen e fundit kampionale të vitit të kaluar. (infOSport.mk)