
Shkëndija po vijon përgatitjet për ndeshjen e javës së 9-të kundër Pobedës, që në program është me datë 2 tetor në stadiumin “Goce Dellçev” në Prilep.
“Kuqezinjtë” janë pa katër anëtarë në përgatitje. Egzon Bejtullai dhe Lupçe Doriev janë thirrur nga përfaqësuesja A e Maqedonisë, për ndeshjet me Gjeorgjinë (Tblisi, 23 shtator) dhe Bullgarinë (Shkup, 26 shtator) në kuadër të Ligës së Kombeve.
Reshat Ramadani ka marrë ftesë nga Maqedonia U21 e cila nën drejtimin e seleksionuesit, Dragan Kanatllarovski po merr pjesë në një turne kontrollues në Kroaci, ku krahas përfaqësueses vendase do të marrin pjesë edhe Arabia Saudite dhe Shqipëria.
Me Maqedoninë U21 duhej të ishte bashkuar edhe Dashmir Elezi, mirëpo i njejti me insistim të seleksionuesit të përfaqësueses U19 të Maqedonisë së Veriut, Nexhat Shabani do të luajë me këtë gjeneratë në ndeshjen kontrolluese me Qipron, që do të jetë testi i fundit para turneut kualifikues të fazës elite për Kampionatin Europian.
Kujtojmë se deri në datën 01 tetor Liga e PARË do jetë pushim, me skuadrat që kanë marrë disa ditë pauze për shkak të ndeshjeve të Ligës së Kombeve, aty ku merr pjesë edhe përfaqësuesja e Maqedonisë. (infOSport.mk)