Futbollistët e Shkëndijës kishin marrë dy ditë lira nga stafi teknik, pas përballjes së ditës së shtunë me Shkupin në Tetovë, ndeshje kjo që në fund u mbyll me barazim pa gola.
Pauza dy javore e kampionatit, shkaku i ndeshjeve ndërkombëtare të ekipeve përfaqësuese, i mundësoi trajnerit Qatip Osmani që tu japë futbollistëve pak pushim, para startit të përgatitjeve për atë që pason në kampionat.
E ndërkohë emocionet nga barazimi 0:0 me Shkupin akoma janë të pranishme në taborin kuqezi, para se gjithash për ambientin e krijuar nga tifozët.
“Pasi kemi pushuar dhe me kokë të ftohtë analizojmë ndeshjen, vërtet është gjunah që nuk arritëm të fitojmë. Nga gjithë ato shanse të paktën një gol duhej ta kishim shënuar, por ja që ndodhi të jemi komplet të pafat”, shprehet mbrojtësi, Egzon Bejtullai, që vijon me vlerësimin për publikun tetovarë e më gjërë që mbështesin Shkëndijën.
“Realisht na kishte munguar kjo atmosferë dhe një ambient i tillë edhe neve futbollistëve na jep tjetër motiv për lojë. Ishte evidente se me atë mbështetje, ne dhamë mbi 100% në terren dhe nëse duhet veçuar diçka pozitive, atëherë përfundimisht paraqitja e ekipit dhe atmosfera e tifozëve, me “Ballistët” në veçanti janë premtim se gjërat ecin në kahje pozitive”, shton numri “4”.
Nga shumë shanse të humbura, Bejtullai ‘prodhoi’ njërën prej tyre kur “bomba” e tij nga distanca në minutën e 22-të u devijua mbi portë nga portieri i Shkupit, ndërsa në pjesën e dytë për pak nga një pakujdesi e Bejtullait (84’) mund edhe të pësonin. Fatmirësisht vetë Egzoni arriti të përmirësojë gabimin, duke larguar topin para vijës fatale.
“Kufiri mes heroit dhe figurës tragjike ndonjëherë është shumë i hollë. Kur je në lojë fokusi është 100% të bësh më të mirën dhe shto këtu adrenalinën që të jep publiku, ndodh edhe të gabosh duke menduar se bën zgjidhjen e duhur. Ashtu ndodhi me mua kur rezultoi gabim ai top i kthyer me kokë drejt Dino-s (Zahovit), mirëpo fatmirësisht shpejt e kuptova çka bëra dhe duke mos u dorëzuar para gabimit, arrita në sekond të fundit të shpëtoj. Sa i përket goditjes që kisha, mund të them se ishte e natyrshme të provonim me gjuajtje nga distanca në kushte kur Shkupi mbyllej me gjithë lojtarët pas. Jo vetëm unë, edhe Cake e Vali (Nafiu) i’u afruan golit me gjuajtje nga larg, por fatkeqësisht nuk mundëm të shënojmë” – thotë Bejtullai, i cili beson në potencialin që ka skuadra dhe se më të mirën nga Shkëndija duhet të presim në vazhdim të kampionatit.
“Ndeshja me Shkupin është e kaluar, tani shikojmë para dhe e dimë se na pret shumë punë. Mirëpo besojmë në potencialin tonë dhe personalisht kam bindjen se më e mira nga Shkëndija pason në vazhdim të kampionatit”, – përfundon Bejtullai.