Derbi i shumëpritur midis dy skuadrave shqiptare, Shkëndija dhe FC Shkupit, i zhvilluar në Tetovë, u mbyll me barazim pa gola, me ç’rast këto dy skuadra vazhduan traditën e barazimeve, që tashmë shkon në 7 të tilla të njëpasnjëshme, shkruan “infOSport.mk”.
Edhe përkundër shiut, stadiumi i Tetovës mirëpriti diku rreth 8000 tifoz, ndërsa në mungesë të golave, fjalën kryesore e patën “Ballistët”, që krijuan një super atmosferë në tribunën “Marshin Beqiri”.
Ata që në fillim paralajmëruan një gjë të tillë, me shpalosjen e koreografisë, që erdhi me mesazhin “”PA U VRA TRADHËTIA, S’BËHET SHQIPËRIA”, ndërsa bashkë me këtë pankartë, u ngritën lartë edhe trojet shqiptare, Shqipëria, Kosova, Ilirida, Malësia dhe Çamëria.
E gjithë kjo sakrificë dhe mund i “Ballistëve” u shpërblye me duartrokitje frenetike nga të pranishmit në stadium, megjithatë nuk u shpërblye nga ana e futbollistëve “kuqezi”, që nuk mundën të gjejnë reçetën për të mposhtur portierin e FC Shkupit, Kristijan Naumovski.
Ky i fundit prodhoi disa intervenime bravuroze në këtë takim, ndërsa në disa raste edhe fati ishte me të, kur disa nga goditjet e futbollistëve vendas përfundonin shumë fare pranë golit.
Intervenimin e parë më serioz të Naumovskit e regjistruam në minutën e 22-të, kur Egzon Bejtullai nga një distancë prej rreth 40 metrash lëshoi një predhë të vërtetë, që u devijua në rivënie nga këndi.
Naumovski ishte në element edhe në minutën e 39-të, kur kësaj rradhe nuk lejoi gëzimin e mbrojtësit tjetër “kuqezi”, Klisman Cake.
Në pjesën e dytë, edhe atë në minutat e fundit të takimit (84’), një gabim i Bejtullait mund ti kushtonte shumë Shkëndijës, mirëpo edhe pse sulmuesi “bardheblu”, Pepi Georgiev kishte fatin e ndeshjes në duart e tij, nuk arriti të shënojë në rrjetën e zbrazët.
Nuk vonoi shumë dhe në anën tjetër edhe rezervisti Valmir Nafiu vuri në shumë siklet portierin mysafir, i cili pati shumë fat, pasi topi përfundoi vetëm disa centimetra skaj shtyllës së majtë të tij.
Në fund barazim pa gola midis Shkëndijës dhe FC Shkupit në Tetovë, aty ku edhe dy ndeshjet e fundit kishin përfunduar me rrjeta të paprekura. (infOSport.mk)