Shkëndija mundi 3:0 Karaormanin, a është ky një paralajmërim për FC Shkupin! (VIDEO) 

Shkëndija të mërkurën pa shumë probleme mundi Karaormanin në ndeshjen e raundit të parë të Kupës, duke siguruar një vend për në ndeshjet e 1/8 së finales, shkruan “infOSport.mk”.

3:0 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi, në të cilin Shkëndija u udhëhoq nga Skender Jonuzi. Ky i fundit me shumë gjasa do të udhëheq “kuqezinjtë” edhe në ndeshjen derbi të fundjavës kundër FC Shkupit, skuadër kjo që gjithashtu me lehtësi kaloi raundin e 1/16 së finales së Kupës, duke eliminuar Bellasicën.

Ndryshe fitoren e Shkëndijës ndaj Karaormanit e paralajmëroi braziliani Vagner Gonçalves që në minutën e 10-të. Braziliani duke shfrytëzuar shpejtësinë e tij, arriti që të fus panikë tek portieri vendas, i cili nuk arriti që të largoj topin me kohë, ndërsa këtë më së miri e shfrytëzoi Gonçalves, që realizoi golin e parë në një ndeshje zyrtare me Shkëndijën.

Klisman Cake ishte shumë afër golit gjatë pjesës së parë, mirëpo i njëjti humbi një rast mjaft të volitshëm para portës kundërshtare, ashtu që 45 minutëshi i parë u mbyll me vetëm një gol në rrjetën e Karaormanit.

Edhe pjesa e dytë foli në tërësi për “kuqezinjtë”, të cilët golin e dytë e gjetën vetëm në minutën e 73-të, kur Valmir Nafiu me një goditje nga distanca shënoi një gol të bukur për rezultat 2:0.

Mirëpo kur të gjithë menduan se kjo ndeshje do të mbyllet me këto dy gola, ashtu nuk mendoi edhe talenti “kuqezi”, Dashmir Elezi, i cili pasi pranoi një top nga Adenis Shala brenda zonës kundërshtare, me të majtën e tij shënoi edhe golin e tretë në rrjetën e Karaormanit, skuadër kjo që pas shumë viteve u rikthye të garojë në Ligën e Dytë.

Mbetet të shihet nëse kjo fitore ishte një test i mirë për ekipin “kuqezi” nga Tetova, që testin kryesor, ndoshta edhe të sezonit do ta ketë këtë fundjavë në ndeshjen kundër kampionëve në fuqi të FC Shkupit. (infOSport.mk)

Leave a Reply