Në prag të takimit derbi midis Shkëndijës dhe FC Shkupit që do të luhet këtë fundjavë, nga kabineti i Artan Grubit bëjnë të ditur se sot zëvendëskryeministri i parë i vendit do të ketë takim me drejtuesit e të dyja skuadrave, njofton “infOSport.mk”.
Ky takim pritet të ndodhë sot pasdite, mirëpo ende nuk dihet nëse i njëjti do të realizohet veçmas, apo ndoshta do të jetë takim i përbashkët.
“Sot, (Е enjte, 15.09.2022), Zëvendës Kryetari i Parë i Qeverisë dhe Ministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, z. Artan Grubi, do të presë në takim drejtuesit e KF Shkëndija dhe KF Shkupi”, – thuhet në njoftimin e kabinetit të zv/kryeministrit Grubi.
FC Shkupi dhe Shkëndija, dy klube shqiptare tashmë disa edicione nuk kanë raporte edhe aq të mira mes vete, kjo edhe shkaku i tifozërive të të dyja skuadrave. Me siguri ky takim ka të bëjë me këtë çështje, e ku nëse do arrihej ndonjë marrëveshje, atëherë të dielën do kishim një spektakël futbolli në Tetovë me prezencën e të dyja tifozërive.