E mërkura në futbollin vendor ishte e rezervuar për ndeshjet e raundit të parë të Kupës, njofton “infOSport.mk”. Ekipet e mëdha nuk është se hasën në probleme, ndërsa si rezultate surprizë, mund të konsiderohen ato në Shkup, ku Fortuna e Hasanbegut që garon në Ligën e tretë, eliminoi deri dje ekipin e elitës, Borecin, dhe ai rezultati në Gostivar, ku ekipi vendas që mban të njëjtin emër u eliminua nga Pelisteri, të cilën skuadër në fundjavë e mundi në Manastir me shifrat 3:1 në kuadër të xhiros së katërt në Ligën e Dytë.
Kampionët në fuqi të FC Shkupit mundën Bellasicën në Strumicë me rezultatin 3:1, me të gjithë golat që u realizuan vetëm në pjesën e dytë.
Alvarez zhbllokoi rezultatin me golin e realizuar në minutën e 61-të, ndërsa vetëm dy minuta më pas, Adentunxhi gjeti golin e parë sezonal, duke dyfishuar epërsinë e FC Shkupit në 2:0.
Me një eurogol të realizuar nga gjuajtja e lirë, Aleksandar Kocev në minutën e 68-të riktheu në lojë Bellasicën, mirëpo çështja u zgjodh fare në fund të takimit, kur Alvarez në minutën e 93-të, vendosi rezultatin përfundimtarë të këtij takimi, Bellasica 1, FC Shkupi 3.
Shkëndija falë golave të shënuar nga Gonçalves (10’), Nafiu (73’) dhe Elezi (90+1’), mundi Karaormanin në Strugë, derisa ekipi lider në kampionat, Struga Trim Lum falë golave të shënuar nga Abdylhadi Jahja dhe Miklovan Pere eliminoi Vardar Negotinën, Akademia Pandev dhe Pobeda ishin shumë bindëse, duke mundur me rezultatin 6:0 Karbincin, gjegjësisht Teteksin.
Manita nga Rabotniçki për Konjarin, ku me 3 gola shkëlqeu Anes Rusheviq, teksa nga një gol shtuan edhe Mario Stankovski dhe Dimitar Todorovski.
Fitore të sigurta edhe për Vardarin dhe Bregallnicën (3:0), duke eliminuar Sasa-n, gjegjësisht Slloga Vinicën, Pelisteri falë golit të shënuar nga Nikolla Naumoski në minutën e 90-të iu hakmorr Gostivarit për disfatën e fundjavës në kampionat, duke eliminuar skuadrën e Topçiut që në raundin e parë të Kupës, ndërsa Fortuna e Hasanbegut bëri surprizën më të këndshme të kësaj faze, duke eliminuar Borecin, skuadër kjo që deri edicionin e kaluar bënte pjesë në mesin e më të mirëve në futbollin vendor.
Fortuna edhe pse me një lojtar më pak në fushë, falë golave të shënuar nga Jakupi (2 gola), Canevski, Saiti dhe Memedovski, në fund shënoi fitore 5:3. Për skuadrën nga Velesi të saktë dolën të jenë Dimovski (22’), Poposki (62’) dhe Nikolovski (74’).
Ndërkohë Voska Sport, Skopje dhe Ljuboteni pa fare luftë u kualifikuan për në ndeshjet e 1/8 së finales, pas tërheqjes nga kjo garë të skuadrave si Zajazi, Crno Buki dhe Renovës, me këta të fundit që para fillimit të kampionatit u tërhoqën edhe nga Liga e Parë.
Pa luftë, në raundin e 1/8 së finales do të garojnë edhe Makedonija GJ.P, fituese e edicionit të kaluar të Kupës, si dhe ekipi finalist, Sileksi. (infOSport.mk)
Kupa e Maqedonisë, 1/16 e finales |
||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||||
|