Asgjë e re, kur flasim për Struga Trim Lum. Skuadra strugane sot regjistroi edhe fitoren e 7-të me rradhë në kampionat, duke mundur Skopjen me rezultatin e pastërt 3:0, njofton “infOSport.mk”.
Nga ajo që aktorët treguan në fushën e blertë, nuk do të ishte e padrejtë, nëse Struga Trim Lum do të shënonte edhe ndonjë fitore më të thellë.
Pas një degazhimi të gjatë të Ilieskit drejt Zija Merxhanit në zonën kundërshtare, ky i fundit arriti të përfitojë hapësirën e duhur për të goditur, mirëpo e njëjta u ndal nga portieri mysafir, i cili në vijim të aksionit i mundësoi Hristijan Maleskit për të shënuar golin e epërsisë për Struga Trim Lum.
E gjithë kjo ndodhi në minutën e 34-të, ndërsa ky gol doli të jetë i vetmi i shënuar gjatë pjesës së parë.
Pjesa e dytë doli të jetë edhe më efikase për skuadrën e Struga Trim Lum, që shënoi edhe dy gola të tjerë.
Në minutën e 52-të pas disa pasimeve të njëpasnjëshme, topi arriti deri te Valentin Koçoski në të majtë, i cili mjaft mirë harkoi para 5-metërshit të portierit Efremov, aty ku pa probleme Besart Ibraimi shënoi për 2:0.
Në minutën e 67-të pas një kundërsulmi të shpejtë të vendasve, Sava Radiç doli i vetëm para portierit kundërshtarë, i cili me një intervenim bravuroz i mohoi golin e dytë sezon mbrojtësit të Struga Trim Lum.
Edhe pas këtij rasti, Struga Trim Lum vazhdoi të sulmojë, ndërsa në të 71-tën, Bunjamin Shabani shënoi një super gol me të djathtën e tij, duke zgjidhur që në ato momente çështjen e fituesit.
Pas këtij goli, vetëm dy minuta më pas erdhi edhe goli i katërt, këtë herë me autorë Besart Ibraimin, mirëpo festën e tij e prishi arbitri anësor që tregoi pozitë jashtëloje.
Ibraimi u kanos edhe në minutën e 85-të, por Efremov edhe njëherë tjetër reagoi mirë para futbollistëve vendas, njëjtë sikurse edhe dy minuta më vonë, kur nuk lejoi që Jahja të shënojë edhe golin e katërt në rrjetën e tij.
Në fund fitore me rezultat 3:0 për Struga Trim Lum, që vazhdon të jetë e pagabueshme në sezonin 2022/23, me ç’rast me 21 pikë kryeson renditjen para
Sileksit (14), Shkëndijës (11) dhe FC Shkupit (10). (infOSport.mk)