Egzon Belica, një ndër mbrojtësit më të mirë shqiptarë në vazhdim të sezonit me shumë gjasa do të luaj me fanellën e FC Prishtinës. Kështu strugani nga kryeqendra shqiptare, do të provojë veten te kryeqendra kosovare, duke zhvilluar ndeshjet si vendas në stadiumin “Fadil Vokrri”, shkruan “infOSport.mk”.
Belica në fillimin e muajit gusht edhe zyrtarisht u nda me Partizanin e Tiranës, pjesë e së cilës skuadër ishte plotë 4 vite e gjysmë, duke zhvilluar 178 ndeshje dhe duke realizuar 5 gola.
Ai me Partizanin në vitin 2019-të u shpall kampion, ndërsa një vit më pas si kapiten i skuadrës fitoi edhe Kupën e Shqipërisë.
Informacione të besueshme pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se palët tashmë disa ditë janë në bisedime e sipër dhe se gjithçka mund të kryhet brenda këtyre ditëve.
Strugani Belica ka një karrierë të bujshme futbollistike, teksa përveç në Shqipëri me Partizanin, kishte luajtur edhe me Besën e Kavajës, në futbollin tonë vendor ai kishte qenë pjesë e Rabotniçkit, Shkëndijës dhe Ohrid Lihnidos, ndërsa gjithashtu kishte bërë edhe karrierë ndërkombëtare, duke luajtur me Konkordia në Rumani, FC Inter në Finlandë dhe Riga në Letoni. (infOSport.mk)