E ardhmja e Mauro Ikardit është vënë në udhëkryq. Pasi trajneri i PSZh-së, Kristofer Galtier vendosi ta përjashtojë atë nga ekipi i parë, Ikardi nuk arriti të lëviz me kohë dhe të gjejë ndonjë skuadër në një ndër kampionatet më të rëndësishme europiane, ashtu që tani si opsion i vetëm mbetet transferimi i tij në futbollin turk, me konkretisht te gjigandët e Galatasrajit, drejtuesit e së cilës skuadër kanë shfaqur interesim për transferimin e argjentinasit.
Merkato në Turqi ende nuk është e mbyllur dhe mbetet e hapur deri më datë 8 shtator, ndaj drejtuesit e Galatasarajit vijojnë të punojnë për të transferuar Ikardin në një merkato që kanë afruar edhe yje të tjerë europianë, si Dries Mertens të Napolit dhe Lukas Torreira të Arsenal.
Për momentin, negociatat kanë mbetur në vendnumëro pasi parisienët nuk pranojnë fomulën e huazimit me të drejtën e blerjes dhe kërkojnë huazim me detyrim blerje, në mënyrë që 29-vjeçari të mos rikthehet sërish në Paris.
Ndërkohë, Ikardi rrezikon edhe të mbetet pjesë e PSZh, mirëpo nëse diçka e tillë bëhet realitet, atëherë sulmuesi do të jetë pjesë e ekipit të dytë të parisienëve dhe do të aktivizohej në Ligën e Pestë franceze!