Lajme të mira vijnë nga Komuna e Studeniçanit, më saktësisht nga fshati Studeniçan, ku falë një organizimi të shkëlqyer të një grupi të të rinjëve mjaft entuziast, por edhe gatishmërisë së Komunës për të ndihmuar idetë e këtij grupi, është vendosur që KF Studeniçani, duke nisur nga ky edicion të bëjë gara edhe me ekipin e seniorëve, njofton “infOSport.mk”.
Është kjo një ëndërr e kahmotshme e këtij grupi të rinjësh, që mbi supe kanë marrë një barë shumë të madhe, por para së gjithash mjaft fisnike, pasi idetë e tyre dhe synimi është që në zemrat e rinisë të kësaj ane të shtojnë dashurinë për sport, e në veçanti për futboll, kur të gjithë e dimë se ky lloj sporti është më i preferuari tek moshat e reja.
Studeniçani bëhet me klub futbolli
Kujtojmë KF Studeniçani si klub ishte themeluar dhjetorin e vitit 2019-të, duke garuar me grupmoshat e e reja 2009, 2010, 2011, 2012 dhe 2013, ndërsa ende pa u bërë tre vite, drejtuesit e këtij klubi kanë marrë edhe një hap tjetër, garimin me ekipin e seniorëve.
Ekipit të parë të KF Studeniçanit do i prijë një emër i njohur për futbollin tonë vendor, Bujamin Asani, i cili do të luaj rolin e trajnerit, që ka marrë besimin e drejtuesve të kësaj skuadre me në krye, Kryetarin Fatmir Iseni.
KF Studeniçani do të garojë në Ligën e katërt, në rajonin e Veriut – Kisella Vodë, bashkë edhe me skuadrat si Kul-Zdravje, Partizan (S), Pobeda (DL), SSK Mladinec, Slavija, Sloboden, Tekstilec dhe Vardar 75.
Sezoni i ri në këtë ligë starton me 24 shtator, ndërsa ndeshjen e parë KF Studeniçani do ta zhvillojë si vendas kundër skuadrës së Kul-Zdravje. (infOSport.mk)