Bylisi, që këtë vit u rikthye në mesin e më të mirëve në futbollin shqiptarë, e nisi mbarë sezonin e ri, duke regjistruar një fitore dhe një barazim në dy xhirot e para. Kjo bëri që apetitet e drejtuesve të kësaj skuadre të riten, teksa së fundmi ata kanë përforcuar mbrojtjen me futbollistin e Tikveshit, Riste Karakamishev, raporton “infOSport.mk”.
Bëhet fjalë për një futbollistë 27-vjeçar që luan në qendër të mbrojtjes, por i njëjti gjithashtu mund të luaj edhe si një mesfushor difenziv, duke lidhur mbrojtjen me mesfushën. Ai te Bylisi do ti bashkohet bashkëkombasit të tij, Aleksandar Damçevski, i cili skuadrës ballshiote iu bashkua nga rradhët e Partizanit gjatë merkatos së kësaj vere.
Ndryshe, Karakamishev karrierën e tij e kishte nisur te Kozhuvi, për të vijuar më pas te Skopje, Sileksi dhe së fundmi te Tikveshi.
I njëjti në elitën e futbollit tonë vendor numëron 32 ndeshje dhe 6 gola të shënuar, që të gjithë me Tikveshin gjatë edicionit të kaluar.
Karakamishev në vitin 2021 me Sileksin kishte fituar edhe Kupën e Maqedonisë. (infOSport.mk)