Edinson Kavani edhe zyrtarisht është prezantuar te Valencia, me të cilën skuadër uruguaiani ka nënshkruar kontratë dyvjeçare.
35-vjeçari, u shpreh në konferencë se Valencia ishte opsioni i parë pasi i dhuronte një ndjesi pozitive, ndërsa shtoi se nuk e quan veten një Fenomen dhe se nuk zgjodhi paratë pasi në këtë merkato kishte mundësinë të transferohej edhe në klube që i ofronin më shumë se spanjollët.
“Kam qenë një sulmues që gjatë gjithë karrierës sime kam menduar se e vetmja mënyrë për të mbërritur te objektivat ishte puna. Nuk e konsideroj veten një Fenomen, karriera ime ka qenë e mbushur me sakrifica. Ka lojtarë të tjerë që kanë shumë cilësi dhe ne të tjerët këtë boshllëk duhet ta mbushim me punë. Kam pasur edhe oferta të tjera, por në kokën time ishte vetëm Valencia. Është një klub i madh dhe një qytet i mrekullueshëm. Me shumë respekt edhe për ekipet e tjera, por preferoj Valencian. Nëse do të ishte për paratë, me siguri do të merrja në konsideratë të tjera oferta, por unë kisha ndjesi pozitive për Valencian”, – u shpreh Kavani, i cili së fundmi ishte pjesë e Mançester Junajtedit.
Do të jetë kjo hera e parë që Kavani do të luaj në La Liga, derisa i njëjti kishte provuar veten në vendlindjen e tij në Uruguai te skuadra e Danubio, që më pas të transferohet në Itali, duke luajtur me Palermon dhe Napolin, nga e cila skuadër vitin 2013-të u transferua në Francë te Paris Sen Zhermen, aty ku kaloi 7 vite të plota. Në Premierligën angleze, Kavani luajti për dy vite, duke luajtur në 41 ndeshje dhe duke realizuar 12 gola.
Ndryshe gjatë karrierës së tij, Kavani numëron plotë 615 ndeshje zyrtare, ku ka shënuar 315 gola. (infOSport.mk)