5 fitore në 5 ndeshje për Struga Trim&Lum. Super ecuri e struganëve në sezonin e ri ku nuk njohin rival dhe “shkelin” gjithçka që i’u del përpara, përfshi edhe një triumf në transfertën me Shkëndijën në Strumicë.
Struga Trim&Lum duket një projekt interesant që zhvillohet me kujdes vitet e fundit dhe ekipi që kishte edhe paraqitje debutuese në kupat e Europës, këto pesë xhiro të para të sezonit të ri duket kolektiv serioz i denjë për kreun e tabelës. Natyrisht, herët është të flasim për diçka serioze, sepse sezoni sapo ka filluar, mirëpo flasim vetë duke u bazuar vetëm në atë që kemi parë vitet e fundit dhe pesë xhirot e sezonit të ri.
Ekipi i ndërtuar me kujdes, këtë merkato “rekrutoi” përforcime serioze përfshi edhe golashënuesin më të mirë në historinë e futbollit të Maqedonisë së Veriut, Besart Ibraimin.
Mirëpo ata që ndjekin Strugën e dinë mirë se tashmë një periudhë më të gjatë, “dirigjent” i skuadrës në terren është Bunjamin Shabani. Kapiteni është shndërruar në pikë kyçe në formacionin e Srgjan Zaharievskit. Ndryshimi i poziconit nga sulmues krahu, në mesfushor organizator, ka rilindur Shabanin që komandon lojën e skuadrës. Çdo aksion serioz i Strugës fillon nga ai, lidh në mënyrën më të mirë mesin e fushës me sulmin, ndërsa gjithmonë shfaqet me zgjidhje në momentet kur kundërshtarët duken të mbyllur.
Dëshmi për vlerën e Bunjamin Shabanit te Struga është edhe ndeshja e fundit me Sileksin (2:1) në mesjavë, kur pikërisht super goli i tij i dha fitoren skuadrës që dukej e pafuqishme të thyej rezistencën e rivalit që mbronte barazimin 1:1.
Njejtë si sezonet paraprake edhe tani Shabani është çelësi dhe nëse meritat e lojtarit janë për shfaqet në terren, një BRAVO e madhe shkon për kryesinë që arriti ta mbajë në përbërje kumanovarin që kishte oferta shumë të mira nga vendi dhe jashtë.
Matematika duket shumë e thjeshtë, Shabani u mbajt në skuadër, u shtuan edhe lojtarë tjerë me vlera dhe rezultati i pesë xhirove të para është efekt maksimal në fitore.