Struga Trim Lum ka vazhduar serinë e fitoreve në elitën e futbollit vendor. Skuadra strugane sot realizoi edhe fitoren e 5-të nga po aq ndeshje të zhvilluara, teksa viktima e tyre e rradhës ishte skuadra e Sileksit nga Kratova.
2:1 doli të jetë rezultati përfundimtarë i këtij takimi të zhvilluar në Strugë, ku protagonistë kryesor doli te jetë dyshja, Shabani-Ibraimi, raporton “infOSport.mk”.
Kjo dyshe për herë të parë më konkretisht rrezikuan portën mysafire në minutën e 26-të, kur Shabani asistoi për Ibraimin, ndërsa goditjen e këtij të fundit e ndali portieri Bozhinovski.
Dyshja Shabani-Ibraimi ishte në element edhe në minutën e 30-të, kur bukur kombinuan mes tyre, me ç’rast bomberi kërçovar u ndalua në mënyrë të palejuar brenda zonës, duke bërë që arbitri kryesor të tregoj në pikën e bardhë.
Përgjegjësinë për të ekzekutuar këtë 11-të metërsh e morri vetë Ibraimi, i cili nuk gaboi dhe në minutën e 31-të shënoi për 1:0.
Me këtë rezultat u mbyll edhe pjesa e parë, ndërsa pjesa e dytë doli të jetë edhe më shumë e luftuar dhe me një periudhë, kur edhe Sileksi morri guximin të sulmojë dhe të shënojë.
Mysafirët nga Kratova golin e barazimit e realizuan në minutën e 72-të, ndoshta në momentet më të mira të Struga Trim Lum, që krijonte raste, por nuk arrinte të shënonte. Dhe kur nuk shënon, vjen dënimi, ndërsa ishte këmbëshpejti Ristovski që në ato momente arriti të barazojë shifrat në 1:1.
Nuk vonoi shumë dhe vetëm dy minuta më vonë, Struga Trim Lum pësoi edhe një goditje tjetër, kjo pasi Darko Ilieski në minutën e 74-të duheshe që të braktis ndeshjen, pas kartonit të dytë të verdhë.
Megjithatë edhe përkundër disavantazhit numerik në fushë, futbollistët e Struga Trim Lum nuk u dorëzuan dhe të prirë edhe nga tifozët e pranishëm në stadium, në minutën e 82-të gjetën sërish rrugën e rrjetës, këtë herë me anë të kapitenit Bunjamin Shabani, i cili shënoi një super gol me një goditje nga distanca.
Ky gol u tregua edhe si vendimtarë në fitoren e 5-të të Struga Trim Lum, nga po aq ndeshje të zhvilluara gjatë këtij edicioni, me ç’rast me plotë meritë kjo skuadër i prinë tabelës së klasifikimit me 15 pikë, 5 më shumë se Shkëndija e vendit të dytë. (infOSport.mk)