Strugën e Trimit dhe Lumit nuk e ndal dot as Shkëndija (VIDEO)

Strugën e Trimit dhe Lumit nuk e ndali dot as Shkëndija e madhe, që u dorëzua në Strumicë. Skuadra e Artim Shaqirit u mund 2:0 nga Struga Trim Lum, që në këtë mënyrë regjistroi edhe fitoren e katërt nga po aq ndeshje të zhvilluara në Ligën e Parë, njofton “infOSport.mk”.

Fitoren tonë në këtë përballje e paralajmëroi Hristijan Maleski, i cili kishte marrë besimin e trajnerit Zaharievski, në vend të Besart Ibraimit, vendim ky që në fund u tregua edhe si i duhuri, pasi që të dy në fund dolën të jenë arkitektët e fitores së Struga Trim Lum.

Ndryshe Maleski në minutën e 25-të ishte shumë afër golit, mirëpo tarverza i buzëqeshi Kostadin Zahovit të Shkëndijës.

Ky i fundit doli të jetë më i suksesshëm se futbollistët strugan, Koçoski dhe Bojku edhe në minutat 35 dhe 36, ndërsa me një intervenim bravuroz ndali edhe goditjen e Bojkut në minutën e 43-të nga gjjuajtja e lirë.

Krejt fare në fund të pjesës së parë, pas një kundërsulmi të Struga Trim Lum, Klisman Cake i Shkëndijës ndali në mënyrë të palejuar Abdylhadi Jahjën, me ç’rast arbitri kryesor Aleksandar Stavrev me plotë të drejtë i tregoi kartonin e kuq.

Në fillimin e pjesës së dytë, trajneri Zaharievski vendosi që në lojë të inkuadrojë edhe Besart Ibraimin, prezenca e të cilit solli një freski edhe më të madhe në repartin e sulmit, duke bërë që Struga Trim Lum të jetë shumë më e rrezikshme dhe mbi të gjitha që shfrytëzonte rastet.

Kësisoj në minutën e 50-të, pas një kundërsulmi të shpejtë, Ukpa pasoi në të majtë për Maleskin, i cili si një tren i shpejtë u fut brenda zonës kundërshtare dhe me të majtën e tij shënoi për 1:0.

Ky gol sikurse çliroi edhe më shumë futbollistët e Struga Trim Lum, të cilët thjesht vallëzonin në fushë dhe ishin shumë të sigurtë në pasimet e tyre.

Një kundërzbritje tjetër, solli në një pozitë shumë të volitshme Valentin Koçoskin, i cili dështoi të shënojë para portierit Zahov.

Megjithatë ky i fundit nuk mundi të ndal dot mjeshtrin e golit Besart Ibraimin në minutën e 70-të, kur ky i fundit me shumë zgjuarsi, pasi doli i vetëm para portës kundërshtare, arriti që të shënojë edhe golin e dytë për Struga Trim Lum, që në fund u tregua edhe si vendimtarë në fitoren e katërt nga po aq ndeshje për skuadrën strugane, që me 12 pikë të plota kryesojnë të vetëm renditjen, duke lënë pas vetes Sileksin që ka 8 pikë. (infOSport.mk)

Leave a Reply