Struga Trim Lum në ndeshjen e vlefshme të javës së katërt në elitën e futbollit vendor mundi Shkëndijën me shifrat 2:0, njofton “infOSport.mk”. Që të dy golat skuadra strugane i realizoi gjatë pjesës së dytë, atëherë kur në lojë u inkuadrua edhe golashënuesi më i mirë në historinë e futbollit vendor, por njëkohësisht edhe i Shkëndijës, Besart Ibriami.
Me inkuadrimin e këtij të fundit në lojë, skuadra strugane vetëm se kurorëzoi paraqitjen e mirë edhe të 45 minutave të para, duke realizuar dy gola në pjesën e dytë. Ishte Hristijan Maleski, ai i cili shënoi golin e parë në minutën e 50-të, ndërsa në minutën e 70-të, golin e tij të parë me fanellën e Struga Trim Lum kundër ish skuadrës së tij, Shkëndijës, e realizoi edhe Besart Ibraimi.
Në shenjë respekti ndaj fanellës “kuqezi”, Ibraimi nuk festoi golin, i cili ishte i 3-ti i shënuar gjatë këtij edicioni me fanellën e Struga Trim Lum dhe gjithsej i 198 në historinë e ndeshjeve të Ligës së Parë.
Nëse vazhdon në këtë ritëm, Besart Ibraimi shumë shpejtë do të tejkalojë edhe shifrën e 200 golave, këtë herë duke realizuar me fanellën e Struga Trim Lum. (infOSport.mk)