Futbollisti i talentuar shkupjan, Ardijan Çilafi ka firmosur kontratën e parë profesionale me ekipin e njohur italian, Sampdorian, te e cila skuadër kishte kaluar të gjitha grupmoshat duke filluar nga ato U14.
Paraqitjet e tij të shkëlqyeshme me grupmoshat e reja bindën drejtuesit e skuadrës nga Xhenoa për ti ofruar atij kontratë profesionale, me shpresë se shumë shpejtë i njëjti do të luftojë edhe për një vend në ekipin e parë të Sampdorias, pjesë e së cilës skuadër në të kaluarën kishin qenë shumë emra të njohur të futbollit europian, si Rud Gulit, Xhanluixhi Viali, apo edhe Roberto Mançini.
18-vjeçari Çilafi marrëveshjen profesionale e nënshkruajti në praninë e babait të tij, Metmin, i cili njëherit kishte falënderuar presidentin Lana dhe drejtorin Invernici, për besimin e treguar ndaj djalit të tij.
Kujtojmë, futbollisti me origjinë nga fshati Rahçe, rrethinë e Shkupit, i cili bashkë me familje jeton për shumë vite në Itali, është gjithashtu pjesë edhe e përfaqësueses së Maqedonisë U19, për të cilën ka zhvilluar 2 paraqitje, ndërsa gjithashtu ka luajtur edhe për atë U18 dhe U16, për të cilën në 2 ndeshje kishte realizuar 2 gola. (infOSport.mk)