Shtëpia Evropiane e futbollit (UEFA), i ka kushtuar një shkrim suksesit të madh të skuadrës kampione të Kosovës, Ballkanit, që bëhet skuadra e parë kosovare që do të luaj në grupet e një kompeticioni europian, siç është Liga e Konferencës.
“Ballkani u bë skuadra e parë nga Kosova që u kualifikua në fazën e grupeve të një kompeticioni të madh të klubeve të UEFA-s”, ka shkruar UEFA.
Fazat e grupeve të tre garave kryesore të UEFA-s në nivel klubesh për meshkuj, Liga e Kampionëve, Liga Europa dhe Liga e Konferencës, do të jenë një nga më gjithëpërfshirëset deri më tani.
Pothuajse dy të tretat e shoqatave anëtare të UEFA-s do të përfaqësohen (36 nga 55) dhe do të luajnë të paktën gjashtë ndeshje kundër skuadrave nga i gjithë kontinenti.
“Klubet nga Kosova, Lituania dhe Lihtenshtajni do të përjetojnë për herë të parë fazën e grupeve të një gare të madhe klubesh të UEFA-s – gjë që mund të ndihmojë vetëm në rritjen e shikueshmërisë së futbollit në këto vende.
Krijimi i Ligës së Konferencës së Evropës ka qenë vendimtar për këtë zhvillim. Përveç që u jep më shumë lojtarëve mundësinë për të përjetuar futbollin evropian, gjë që do t’i ndihmojë në zhvillimin e karrierës së tyre, kompeticioni u ka dhënë gjithashtu klubeve dhe tifozëve të tyre mundësinë të ëndërrojnë për të fituar një trofe evropian”, thuhet më tej në shkrimin e publikuar nga UEFA.
Kujtojmë, Ballkani që mbrëmë eliminoi FC Shkupin, gjatë ditës së sotme ka mësuar edhe kundërshtarët në fazën e grupeve. Skuadra nga Suhareka u shortua në grupin “G”, bashkë edhe me Slavia Pragën, Kluzhin rumun dhe Sivasporin turk.