Trajneri i FC Ballkanit, Ilir Daja ka pranuar se ndeshja e kthimit kundër FC Shkupit, që do të zhvillohet sonte në Prishtinë, do të jetë më e vështirë se e para.
Megjithatë, ai ka thënë se ekipi i tij duhet të angazhohet maksimalisht edhe për 90-të minuta, në mënyrë që ta vazhdojë ëndrrën, kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
FC Ballkani falë golave të shënuar nga Rrahmani dhe Korenica e fitoi ndeshjen e parë në Shkup me shifrat 2:1, rezultat ky që i shkon për favori skuadrës nga Suharreka, por që nuk është se i garanton kualifikimin në fazën e grupeve.
“Mendojë se do të jetë një ndeshje të vështirë, më e vështirë se ajo e para në Shkup. E vështirë për lojtarët sepse stafi nuk ka shumë vështirësi, vetëm duhet të ulë dozën e emocioneve, ta menaxhoj stresin që lojtarët të japin më të mirën e mundshme”, është shprehur Daja në konferencën për shtyp të mërkurën.
I pyetur nëse ka skuadër favorite në këtë përballje, Daja u shpreh se skuadrat janë pothuajse të barabarta.
“Nuk ka favorit direkt, dy skuadra pothuajse të barabarta. Kemi avantazh sepse fituam ndeshjen e parë, shpresojmë të na mbështesin tifozët. Duhet të djersitemi nëse mendojmë ti shtyjmë ëndrrat përpara. Nuk e kemi parashikuar që në start të arrijmë këtu. Gjithë kontingjenti është në dispozicion. Një lojtar të shohim si e ka gjendjen, ka qenë i diferencuar. Nuk dua ta publikoj dhe nuk dua të jap elemente shtesë. Është një nga mbrojtësit tanë në dyshim”, deklaroi Daja, i cili njëherit konfirmoio mungesën e portierit Damir Lulanoviq, vendin e të cilit sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, do ta zë Stivi Frashëri.
Ndeshja, FC Ballkani-FC Shkupi starton në ora 20:00. (infOSport.mk)