Shkëndija në kuadër të javës së katërt në elitën e futbollit vendor do të mirëpret Struga Trim Lum. Kjo ndeshje konsiderohet edhe derbi i kësaj jave, falë edhe startit të mrrekullueshëm të ekipit strugan, që është ekipi i vetëm që ka regjistruar 3 fitore nga po aq ndeshje të zhvilluara, raporton “infOSport.mk”.
Dy ndeshjet e para të sezonit të ri Shkëndija i luajti si vendase në Strugë, pasi fusha e tetovarëve ishte pezulluar nga Komisioni Disiplinor i FFM-së si pasojë e ndodhive në duelin e sezonit të shkuar, Shkëndija-FC Shkupi.
Mirëpo edhe tani kur pezullimi kaloi, Shkëndija me gjasë detyrohet gjithë vjeshtën të luajë jashta Tetovës, shkaku i gjendjes së mjerueshme të fushës, i cili u dëmtua në tentativë për për të renovuar të njëjtin.
Edhe pse ndoshta pritej që edhe ndeshjen e javës së katërt ta zhvillojë në Strugë, një gjë e tillë nuk do të ndodhë, pasi drejtuesit e Shkëndijës kanë vendosur që skuadrën e Struga Trim Lum ta mirëpresin në Strumicë në stadiumin e Akademia Pandev.
Vallë “kuqezinjtë” kanë frikë nga forma momentale e Struga Trim Lum dhe ish bomberi i tyre, Besart Ibraimi, apo ndoshta një vendim i këtillë ka të bëjë edhe me “Ballistët” dhe presidentin Besnik Ibraimi, të cilët nuk janë në raporte aspak të mira.
Numri një i “kuqezinjëve” tashmë një kohë më të gjatë është në shënjestër të “Ballistëve” që kërkojnë largimin e tij, ndërsa një gjë të tillë haptaz ata e kërkuan në ndeshjen e raundit të tretë të Ligës së Konferencës kundër AIK-ut në Stokholm, kur kishin shpalosur një pankartë me mbishkrimin “o besnik ne ina për Shkëndijë taj për pasuri”.
“Ballistët” thonë se Ibraimi vazhdimisht po i injoron dhe po i përbuz ata, ndërsa një gjë e tillë është e patolerueshme ndaj dhe janë gjithë ato ofendime në adresë të tij.