Shkëndija e Tetovës është gati të rikthejë Adrian Cuculin, futbollistë ky i cili së fundmi ishte pjesë e Dritës së Gjilanit në futbollin kosovar.
Pasi nuk vazhdoi kontratën me këta të fundit, Cuculi mbeti një agjent i lirë, ndërsa edhe përkundër faktit se emri i tij ishte lidhur me shumë skuadra qoftë nga vendi, apo rajoni, i njëjti me shumë gjasa do të rikthehet te klubi “kuqezi”, për të cilin kishte zhvilluar më së shumti ndeshje, por njëkohësisht edhe kishte fituar dy tituj kampion dhe njëherë trofeun e Kupës, raporton “infOSport.mk”.
Cuculi është një emër i njohur në futbollin tonë vendor, aty ku numëron 204 ndeshje vetëm në Ligën e Parë, ndërsa me fanellën “kuqezi” i njëjti ka të zhvilluara 225 ndeshje, 5 gola dhe 16 asistime.
Me angazhimin e Cuculit, bie në ujë angazhimi i Egzon Belicës në mbrojtjen “kuqezi”. Emri i kapitenit të Partizanit lidhej ngushtë me një transferim te Shkëndija, që si duket është vendosur për Cuculin, i cili përveç në qendër të mbrojtjes, mund të luaj edhe si mbrojtës i krahut të majtë, aty ku luante edhe Zija Merxhani, i cili u transferua te Struga Trim Lum, për të cilën skuadër në fundjavë realizoi golin debutues. (infOSport.mk)