Sot starton Liga e Dytë, Gostivari dhe Voska Sport, dy skuadrat shqiptare me ambicie të larta

Sot edhe zyrtarisht  starton sezoni i ri në Ligën e Dytë, që nga ky vit do të numërojë 16 skuadra në një ligë dhe jo si deri më tani që ishin të ndara në Konferencën e Lindjes dhe atë të Perëndimit me nga 10 skukadra.
Dy skuadrat e para në renditje do të sigurojnë një vend për në Ligën e Parë, ndërsa skuadrat e renditura në pozitat 3 dhe 4 do të luajnë në ndeshjet e balotazhit për inkuadrim në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, njofton “infOSport.mk”.

Në mesin e skuadrave që do të garojnë në këtë ligë janë edhe dy rivalët e mëdhenj, Vardari dhe Pelisteri, që edhe përkundër problemeve financiare, mund të thuhet se janë konkurrentë për inkuadrim në Ligën e Parë, duke mos harruar këtu edhe Bellasicën dhe Voska Sportin, dy skuadra këto që edicionin e kaluar luajtën në balotazh, por pa mundur që të realizojnë ëndërrën, inkuadrimin në Ligën e Parë.

Ndër skuadrat që ka qenë shumë aktive në merkato, pa dyshim se është Gostivari, që shihet si pretendent kryesor, duke mos harruar këtu edhe KF Arsimin që me Bujar Islamin në krye, por edhe me disa prej futbollistëve të angazhuar nga rradhët e Renovës, mund të jetë surpriza më e këndshme e këtij sezoni.

KF Arsimi nis sezonin me Vardarin dhe një rezultat pozitiv nga kjo ndeshje do të na bindte në fjalët e mësipërme, në të kundërtën do ishte kjo një lloj euforie.

Voska Sport sezonin e ri do ta nis me transfertën në Strugë përballë Karaormanit, ndaj së cilës skuadër kishte dominuar në miqësoren e fundit të zhvilluar gjatë kësaj vere, ndërsa Gostivari në Shkup do të përballet me ekipin e Pehçevës.

Besa e Dobërdollit ka një udhëtim të largët në Kamenicë, aty ku do të përballet me Sasa-n, Bellasica do të luaj në Radovish kundër Detonit, Ohrid Lihnidos do të jetë nikoqir i Teteksit, ndërkohë Pelilsteri që edicionin e kaluar luajti në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, do të jetë mysafir i Kozhuvit në Gjevgeli.

Java e parë në Ligën e Dytë mbyllet të mërkurën me ndeshjen e fundit midis Borecit dhe Slloga Vinicës. (infOSport.mk)

Leave a Reply