Ish futbollisti i Shkëndijës, tashmë pjesë e Ballkanit, paralajmëron FC Shkupin!

Ish futbollisti i Shkëndijës, që aktualisht mbron ngjyrat e skuadrës kampione të Kosovës, Ballkanit, Meriton Korenica, ka folur para ndeshjes me FC Shkupin, duke paralajmëruar këta të fundit se në kryeqendrën tonë vijnë vetëm për fitore.

FC Shkupi dhe FC Ballkani do të jenë përballë njëra-tjetrës në një ndeshje që vlen një vend në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës dhe miliona euro në kontot e tyre.

Dy klube shqiptare, të dyja kampione, njëra në Maqedoni, e tjetra në Kosovë, do të takohen sonte në stadiumin ‘Todor Preoski” në Shkup me fillim nga ora 21:00.

Korenica, i cili në futbollin tonë vendor përveç Shkëndijës, ka luajtgur edhe me Metalurgun, ka thënë se ai dhe skuadra janë gati për këtë super përballje.

“Është një ndeshje historike për ne si klub dhe të gjithë e dijmë rëndësinë e kësaj përballje. Unë jam gati si çdo herë të jap maksimumin. Duam të kalojnë edhe këtë raund final të play-offit që të luajmë në fazën e grupeve”, – ka thënë Korenica për Telegrafin.

Ylli i Ballkanit që ka zhvilluar shumë ndeshje të mira në garat evropiane, ka thënë se gjendja e skuadrës është shumë e mirë.

“Jemi të gjithë ekipi gati për të shkruar historinë. Gjendja është shumë mirë me motivi është shumë i madh. Besoj fuqishëm që duke i ndihmuar njeri-tjetrit do t’ia dalim. Edhe pse barazimi do të ishte ndoshta rezultat i mirë pasi luajmë si mysafirë, ne hyjmë në çdo ndeshje për fitore dhe për ta dhënë maksimumin”, nënvizoi ylli i Ballkanit.

Pasi që ndeshja zhvillohet në Shkup, jo shumë larg Suharekës dhe Kosovës, lojtarët e Ballkanit presin përkrahje në këtë përballje.

“Pres përkrahje nga e gjithë Kosova, duke e ditur që jemi i vetmi ekipi nga vendi ynë në gara evropiane dhe kemi shkuar deri në raundin final. Ky fakt do të jetë një motiv shtesë për ne, pasi e përfaqësojmë gjithë futbollin e Kosovës”, ka thënë në fund Korenica, i cili në futbollin tonë vendor numëron 9 paraqitje.

Ai gjatë karrierës së tij kundër FC Shkupit ka luajtur dy herë, edhe atë njëherë me fanellën e Metalurgut, kur kishin pësuar disfatë 1:0 në stadiumin e Çairit dhe njëherë me fanellën e Shkëndijës, kur në Tetovë kishin mundur kundërshtarin e sotëm me rezultatin 4:1.

Në atë ndeshje, Korenica edhe pse ishte paraqitur në vetëm 27 minuta lojë, kishte asistuar në golin e katërt të shënuar nga Shpend Asani. (infOSport.mk)

Leave a Reply