Kampioni i vendit tonë, FC Shkupi, sonte në Shkup do të mirëpret kampionin e Kosovës, Ballkanin, ndeshje kjo shumë e vlefshme për të dyja skuadrat, pasi mund të shkruajnë histori, shkruan “infOSport.mk”.
Që të dyja skuadrat i nisën garat në eliminatoret e Ligës së Kampionëve, me FC Shkupin që kaloi pengesën e parë të quajtur Lincoln RED IMPS dhe Ballkanin, që dështoi të kaloj lituanezët e Zhalgiris, pasi u mundën në ruletin e penaltive.
Kësisoj, FC Shkupi kaloi në raundin e dytë të Ligës së Kampionëve, derisa Ballkani vazhdoi garat në raundin e dytë të Ligës së Konferencës.
Skuadra shkupjane në raundin e dytë u eliminua nga gjigandët kroat të Dinamo Zagrebit, mirëpo me kokën lartë, pasi në Maksimir barazuan 2:2, derisa në Shkup u mundën 1:0, duke vazhduar kështu garat në raundin e tretë të Liga Europa, aty ku hasën tek kampionët e Irlandës, Shamrok Rovers, nga e cila skuadër u eliminuan me rezultatin e përgjithshëm 5:2.
Kësisoj FC Shkupi fitoi edhe mundësinë e fundit, duke u kualifikuar për në ndeshjet e “play-off” të Ligës së Konferencës, aty ku Ballkani tashmë ka zhvilluar 4 ndeshje, duke regjistruar 3 fitore dhe 1 disfatë.
Fillimisht Ballkani i Ilir Dajës eliminoi skuadrën e La Fiorita nga San Marino me rezultatin e përgjithshëm 10:0, derisa në takimin e raundit të tretë eliminuan ekipin e Klaksvik nga Ishujt Faroe, edhe atë përmes ruletit të penaltive.
Pa llogaritur 4 golat e shënuar nga ruleti i penaltive, Ballkani rezulton të jetë skuadra më efikase në Ligën e Konferencës, së bashku edhe me Slavia Pragën, që të dyja skuadrat me nga 14 gola, apo mesatarisht nga 3.5 gola për ndeshje.
Kështu, mbrojtja e “pëllumbave” nga Çairi do të duhet të jetë shumë syçel përballë sulmit të mysafirëve nga Suhareka, në veçanti sulmuesi kryesor Albion Rahmani, i cili me 6 gola të shënuar udhëheq listën e golashënuesve në kuadër të Ligës së Konferencës.
Në anën tjetër FC Shkupi në të gjitha 6 ndeshjet e deritanishme europiane ka shënuar 7 gola, apo gjysmën e golave që ka shnëuar Ballkani. (infOSport.mk)