E shtuna e rezervuar për xhiron e parë në Ligën e Dytë

Të shtunën edhe zyrtarisht do të hap siparin sezoni i ri në Ligën e Dytë unike, njofton “infOSport.mk”. Edhe pse starti i së njëjtës ishte paraparë që të ndodh një javë më herët, për shkak vonesës së pagesës së kotizimit nga ana e disa skuadrave, xhiroja e parë u shty për një javë, ndërsa tashmë kur gjithçka është në rregull, e njëjta pritet të startojë me 20 gusht.

Voska Sport që edicionin e kaluar humbi ndeshjen e balotazhit për inkuadrim në Ligën e Parë, sezonin e ri në Ligën e Dytë do ta nis me transfertën tek fqinjët e Karaormanit në Strugë. Këta të fundit pas shumë viteve u rikthyen të luajnë në Ligën e Dytë, aty ku sërish do të bëjë gara edhe Vardari, skuadra me më shumë trofe në vendin tonë.

Skuadra “kuqezi” nga Shkupi, sezonin e ri do ta nis me transfertën në Çegran, aty ku do të luaj ndaj skuadrës debutuese të KF Arsimit, Gostivari, një ndër skuadrat pretendente për inkuadrim në Ligën e Parë,  sezonin e ri e nis me transfertën ndaj Pehçevës, ndërsa mysafir do të jetë edhe Besa e Dobërdollit, që duhet udhëtuar deri në Kamenicë, për tu përballur me Sasa-n.

Pelisteri i Lavdrim Fazliut do të luaj në Gjevgjeli përballë Kozhuvit, derisa Boreci që edicionin e kaluar luante në mesin e më të mirëve në futbollin vendor, do të jetë nikoqir i Slloga Vinicës.

Në Ohër, ekipi i Ohrid Lihnidos do të mirëpret Teteksin, ndërsa Bellasica, që së fundmi u përforcua me dyshen shqiptare, Ahmet Rexhepi-Xhihan Adili do të jetë mysafir i Detonit në Plaçkovicë.

Të gjitha ndeshjet e xhiros së parë në Ligën e Dytë unike luhen të shtunën dhe të njëjta do të startojnë në ora 17:00. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply