Demir Imeri vazhdon karrierën në Kazakistan

Demir Imeri, i cili së fundmi ishte pjesë e Superligës shqiptare, duke mbrojtur ngjyrat e Egnatias, karrierën e tij ka vendosur ta vazhdojë në Kazakistan, duke nënshkruar kontratë me skuadrën e FC Atyrau.

Ishin vetë drejtuesit e skuadrës kazake që kishin kontaktuar direkt mesfushorin kërçovarë, i cili enkas për “infOSport.mk” zbuloi edhe disa detaje.

“Me FC Atyrau kam firmosur deri në fund të vitit, kur edhe mbyllët sezoni aktual. Deri te ky transferim erdhi pas një kontakti të drejtëpërdrejtë që pata me drejtuesit e kësaj skuadre, të cilët më ofruan ato kushte që edhe unë kërkoja. Të them të drjetën jam shumë i mahnitur nga mikpritja që më është bërë këtu, ndërsa premtoj se do të jap më të mirën, për t’ua shpërblyer besimin e dhënë” – u shpreh Demir Imeri.

26-vjeçari shpreson të debutoj që këtë fundjavë, kur skuadra e tij e re, FC Atyrau, në kuadër të javës së 13-të në Premierligën kazake do të përballet në transfertë kundër skuadrës së Shakhtar Karagandy.

Aktualisht FC Atyrau i Imerit renditet në pozitën e 8-të me 21 pikë, një më shumë se kundërshtari i ardhshëm, Shakhtar Karagandy, derisa renditjen tabelare pas 12 xhirove të para e udhëheq Aktobe me 29 pikë.

Ndryshe Demir Imeri ka një karrierë të pasur, e ku më së shumti ka provuar veten në Maqedoni dhe Shqipëri, ndërsa gjithashtu i njëjti kishte luajtur edhe në Finlandë, Maltë dhe Ukrainë. (infOSport.mk)

Leave a Reply