FC Shkupi ka pësuar disfatë 1:2 në ndeshjen e parë “play-off” të Ligës së Konferencës përballë kampionëve të Kosovës, Ballkanit, duke humbur mundësinë që me epërsi të udhëtojë drejt Prishtinës, për ndeshjen e kthimit që në program është me datë 25 gusht, shkruan “infOSport.mk”.
Kështu FC Ballkani arriti të fitojë betejën në Shkupin dardan, por mbetet të shihet se kush do e fitojë luftën në Prishtinë, aty ku edhe zyrtarisht do të mësojmë emrin e skuadrës udhëtuese për në grupet e Ligës së Konferencës.
Ndryshe ndeshja, e në veçanti pjesa e parë nuk paralajmëroi një epilog të tillë, pasi FC Shkupi arriti që të avansojë me golin e Sandej Adentunxhit në minutën e 19-të. Alvarez nga e majta harkoi për mrrekulli para 5-metërshit të portierit mysafir, aty ku më së miri u gjind sulmuesi nigerian, dhe me kokë shënoi për 1:0.
Festë në ato momente në tribunat e stadiumit në Shkup, por vetëm për pak çaste, pasi Ballkani në minutën e 22-të me anë të Albion Rahmanit barazoi shifrat në 1:1.
FC Shkupi tentoi sërish, por vetëm përmes goditjeve nga distanca, mirëpo Luljanoviç ishte më i suksesshëm dhe me sukses ndalte goditjet e Kueven, Alvarez, apo edhe Hamidi.
Pjesa e dytë doli të jetë shumë më e dobët për FC Shkupin, ndërsa me kalimin e kohës, Ballkani vërejti që mund të sulmoj, pasi vëreheshin shumë hapësira në drejtim të portierit Naumovski, i cili në dy raste ndali goditjet e Ermal Krasniqit, por jo edhe bombën e Meriton Korenicës në minutën e 67-të, kur me të djathtën e tij shënoi golin e mbrëmjes.
Pas këtij goli, FC Shkupi tentoi me anë të Kueven, mirëpo braziliani sërish ishte i pafat, pasi këtë herë traverza i mohoi golin e barazimit.
Të përzgjedhurit e trajnerit Sedlloski vazhduan me presion në 20 minutat e fundit të takimit, mirëpo tentativat e Cepas, Adentunxhit, Kueven dhe Hamidit nuk dhanë rezultat, ashtu që në fund, FC Shkupi duheshe të pajtohet me disfatën minimale 1:2. Tashmë një javë më vonë pason ndeshja e kthimit në Prishtinë, aty ku do të mësojmë edhe fituesin e përgjithshëm dhe ekipin e dytë shqiptarë pas Skënderbeut, që do të luaj në grupet e një kompeticioni europian, në nivel klubesh. (infOSport.mk)