Futbollisti i ri nga Kosova, Naxhi Berisha që luan për FC Prishtina U19 do të testohet te klubi i njohur kroat Hajduk Split.
Për dy javë ai do të stërvitet me ekipin e juniorëve të gjigantit kroat teksa gjatë qëndrimit pritet t’i zhvillojë edhe disa ndeshje miqësore. Me Berishën në prova do të jetë edhe futbollisti Rijad Jashari që është pjesë e 2 Korrikut.
Mundësia për t’u provuar të dy futbollistët në fjalë erdhi pas angazhimit të skautit të Hajduk Split për Kosovë e Shqipëri, Albin Sahatqija.
Naxhi Berisha është nën menaxhimin e kompanisë SEE Talents që ka në fokus transferimin e lojtarëve në klube të jashtme. Në të kaluarën, talenti i Prishtinës është lidhur edhe me një transferim te gjiganti turk, Besiktas.