Sidrit Guri dje nuk ishte në formacionin e Shkëndijës, ndërsa kjo shton zërat për largimin e tij nga rradhët e skuadrës tetovare. Me shumë gjasa, sulmuesi shkodran do të rikthehet në futbollin shqiptarë, për të veshur për herë të parë fanellën e Partizanit. Një gjë të tillë “infOSport.mk” kishte paralajmëruar që javë më parë, duke sjellë edhe foto nga takimi i sulmuesit “kuqezi” me Drejtorin sportiv të Partizanit, Elton Marini, i cili është më i merituari për këtë transferim.
Guri për herë të fundit në futbollin shqiptarë kishte luajtur verën e vitit 2018, pra 4 vite më herët, kur luante me fanellën e Kukësit.
Si shkodran, Guri karrierën e kishte nisur te Vllaznia, ndërsa gjithashtu kishte luajtur dhe me Besën e Kavajës, Kastrioton dhe Korabin.
Te Shkëndija, Guri u transferua shtatorin e vitit të kaluar nga rradhët e Ostende, ndërsa brenda një viti i njëjti me fanellën “kuqezi” zhvilloi 29 ndeshje, duke realizuar edhe 12 gola.
Vendin e Gurit në sulm me shumë gjasa tashmë do e zë Vlatko Stojanovski, edhe pse nuk përjashtohet mundësia që Shkëndija të angazhojë edhe ndonjë emër të ri në vijën sulmuese, ndërsa informacione të “infOSport.mk”, bëjnë me dije se “kuqezinjtë” janë në bisedime e sipër edhe me kapitenin e deridjeshëm të Partizanit, struganin, Egzon Belica. (infOSport.mk)