Penaltitë dolën të jenë të kobshme sonte për Shkëndijën, pasi skuadra jonë përfaqësuese në Ligën e Konferencës u eliminua në raundin e tretë, duke mos mundur të sigurojë një vend për në ndeshjet e “play-off”, njoton “infOSport.mk”.
Më i dhimbshëm, është fakti që skuadra tetovare eliminohet nga këto gara pa humbur asnjë ndeshje në kohën e rregullt.
Në 6 ndeshjet e zhvilluara, Shkëndija regjistroi 3 fitore dhe 3 barazime, përfshirë këtu edhe dy barazimet e fundit kundër suedezëve të AIK.
1:1 u mbyll ndeshja e para një jave në Suedi, ndërsa i njëjti rezultat u përsërit edhe sonte në arenën “Todor Proeski”, me Shkëndijën që avansoi e para, kur Ferhan Hasani nga penaltia në minutën e 22-të shënoi për 1:0.
Me këtë rezultat u mbyll pjesa e parë, ndërsa fillimi i pjesës së dytë u takoi mysafirëve nga Stokholmi, të cilët në minutën e 56-të me anë të Jasir Ajari barazuan shifrat në 1:1.
Ky rezultat doli të jetë edhe përfundimtarë, pavarësisht disa tentativave nga ana e të dyja skuadrave, me ç’rast fituesi duheshe të vendoset përmes vazhdimeve dy herë nga 15minuta. Mirëpo edhe këtu rezultati nuk ndryshoi, ashtu që penaltitë duheshe të japin emrin e fituesit.
Këtu më të mirë dolën të jenë futbollisët e AIK Stokholm, që shënuan fitore 2:3, ndërsa rolin e tragjikut e luajti Ferhan Hasani, që në serinë e fundit, në serinë e 5-të goditi vetëm mbi portë, duke iu dhuruar fitoren dhe kualifikimin mysafirëve nga Suedia.
Kundërshtarë i AIK-ut në ndeshjet e “play-off” të Ligës së Konferencës do të jetë skuadra e Slovaçkos nga Çekia, që u eliminua ndaj Fenerbahçes në raundin e tretë eliminatorë të Liga Europa. (infOSport.mk)