Start perfekt për Struga Trim Lum dhe Besart Ibraimin. Kështu mund të përshkruhet ndeshja e parë e skuadrës strugane dhe bomberit kërçovar, i cili vazhdon të tund rrjetat edhe në moshën e tij 35-vjeçare, shkruan “infOSport.mk”.
Struga Trim Lum në ndeshjen e parë të sezonit të ri 2022/23 shënoi fitore 3:0 ndaj Pobedës, ndërsa Ibraimi shënoi dy gola, ndërsa një tjetër realizoi Fatjon Jusufi, një emër tjetër i ri në rradhët e skuadrës strugane, që erdhi gjatë kësaj merkatoje.
Besart Ibraimi ishte figura qendrore në sulmin e “bardhekuqve”, duke tentuar herë me të djathtën, e herë me të majtën e tij, por goditjet në këtë rast përfundonin vetëm jashtë kuadratit.
Megjithatë bomberi kërçovarë e gjeti golin në minutat shtesë të pjesës së parë, kur mjaft mirë pranoi një top nga ana e Hogan Ukpa dhe nga afërsia shënoi për 1:0.
Me këtë gol u mbyll pjesa e parë, ndërsa pjesa e dytë nisi me një tentativë të mysafirëve, por që shumë shpejtë gjeti kundërpërgjigjen e Zija Merxhanit, i cili shumë pak mungonte që të shënonte në fillimin e pjesës së dytë, kur një harkim nga ana e tij në krahun e majtë, qëlloi traverzën.
Nuk vonoi shumë dhe në minutën e 63-të, pas një aksioni më të gjatë, Jahja edhe pse i fauluar, arriti që të pasojë për Ibraimin, i cili nuk fali dhe këtë herë me të majtën e tij shënoi një super gol për rezultat 2:0.
Ibraimi tentoi sërish, mirëpo Tofiloski arriti që të ndalonte këtë herë kërçovarin, i cili ishte i pafat dhe nuk arriti që ti gëzohet edhe golit të tretë, edhe pse ishte shumë afër.
Disa minuta para fundit të takimit, Zaharievski bëri disa zëvendësime, duke inkuadruar në lojë edhe dyshen Maleski dhe Jusufi, që në fund doli të jetë edhe reçeta e duhur për golin e tretë, që ishte pjesë e mesfushorit tetovar.
Fatjoni pasi pranoi top nga ana e djathtë nga ana e Hristijan Maleskit, nga brendia e zonës me një goditje të saktë arriti që edhe për herë të tretë të mposhtë portierin mysafir.
Fitore më se e merituar për Struga Trim Lum, që tregoi një performancë të shkëlqyer, kjo falë edhe transferimeve të qëlluara nga ana e drejtuesve të bëra gjatë kësaj merkatoje.
Me këtë lojë dhe këta lojtarë, Struga Trim Lum lirisht mund të konsiderohet si një ndër skuadrat pretendente për TOP4. (infOSport.mk)