Besart Ibraimi e ka nisur me këmbë të mbarë edhe me fanellën e Struga Trim Lum, duke shënuar golin e avantazhit në ndeshjen e xhiros së parë të sezonit të ri 2022/23 kundër skuadrës së Pobedës, njofton “infOSport.mk”.
Skuadra strugane ishte dukshëm kundërshtarë më i mirë në këtë përballje, duke krijuar disa raste për gol, ndërsa golin e parë në një ndeshje zyrtare me fanellën e Struga Trim Lum, bomberi kërçovarë e realizoi në minutat shtesë të pjesës së parë.
Goli erdhi pas një kundërsulmi të shpejtë, kur Shabani ndaloi një aksion të futbollistëve kundërshtarë, ndërsa edhe pse i njëjti u ndalua nga Atdhe Mazari, arbitri kryesor me plotë të drejtë tregoi që loja të vazhdojë, ndërsa atje në sulm Hogan Ukpa mjaft mirë shfrytëzoi gabimin e njërit prej mbrojtësve të Pobedës, duke pasuar për Besart Ibraimin, i cili nuk fali dhe nga afërsia shënoi për 1:0.
Ishte ky goli i 194-të për Ibraimin në elitën e futbollit vendor, duke vazhduar dominimin e tij kur janë në pyetje golat e shënuar në historinë e futbollit vendor. (infOSport.mk)