Ardit Iljazi vazhdon karrierën në Superligën shqiptare

Ardit Iljazi, i cili së fundmi ishte pjesë e FC Shkupit, karrierën e tij do ta vazhdojë në Superligën shqiptare, te skuadra e Erzenit, që këtë vit u inkuadrua në mesin e më të mirëve, njofton “infOSport.mk”.
22-vjeçari Iljazi ishte pjesë e Shkupit prej verës së vitit 2019, teksa sezonin e fundit dha kontributin e tij gjatë fitimit të titullit kampion të skuadrës nga Çairi.

Pasi drejtuesit e FC Shkupit nuk i dhanë mundësinë e vazhdimit të kontratës, Iljazi mbeti një lojtar i lirë, mirëpo i njëjti tashmë ka mundësinë të tregojë cilësitë e tij reale për herë të parë jashtë futbollit vendor.

Futbollisti me origjinë nga Gostivari luan në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa do të jetë një super përforcim për Erzenin në Superligën shqiptare, aty ku skuadra nga Shijaku do ta nis sezonin me ndeshjen si vendas kundër Vllaznisë së Shkodrës.

Ndeshja në fjalë në program është me datë 20 gusht, ku besojmë se debutimin e tij me fanellën e Erzenit do të bëjë edhe Ardit Iljazi, që në këtë mënyrë shton numrin e futbollistëve shqiptarë nga Maqedonia që do të luajnë në Superligën shqiptare në sezonin e ri. (infOSport.mk)

Leave a Reply