Arbnor Muja edhe zyrtarisht është një futbollistë i ri i skuadrës belge të Royal Antverpen.
Sulmuesi i krahut skuadrës belge iu bashkua nga rradhët e Dritës së Gjilanit, skuadër kjo që nga shitja e tij përfitoi plotë 400 mijë euro. Deri te transferimi i Mujës te Antverpeni erdhi vetëm pasi ky i fundit la përshtypje të mirë te belgët gjatë përballjeve europiane që klubi i Kosovës realizoi këtë edicion, e në të cilat 23-vjeçari në 4 ndeshje realizoi 2 gola dhe 1 asist.
Muja karrierën e tij e kishte nisur në vendlindjen e tij, në Mitrovicë, duke luajtur me skuadrën e Trepça ’89, ndërsa talenti i tij që në moshë të re, kishte bërë që ai në moshën 20-vjeçare të provoj veten edhe në Gjermani te skuadra e Braunshvajg, mirëpo vetëm për pak ditë, për tu transferuar më pas në Shqipëri, atë kohë te një ndër skuadrat më të mira shqiptare, Skënderbeu.
Korçarët e dërguan më pas te Trepça 89 si huazim, për ta larguar si të lirë vetëm verën e vitit të kaluar, kur Muja edhe përfundimisht iu bashkua skuadrës së Dritës, e ku si duket nuk gaboi, pasi nën urdhërat e Ardian Nuhiut, ai shumë shpejtë u shndërrua në një lojtar kyç të skuadrës gjilanase, me të cilën edicionin e kaluar në 20 ndeshje kampionale regjistroi 4 gola dhe 7 asistime.