Antverpeni belg, ndryshe kundërshtarë i Dritës së Ardian Nuhiut në turin e dytë eliminatorë të Ligës së Konferencës, ka përforcuar rradhët e veta para ndeshjes kthyese të cilën e zhvillon të enjten (28 korrik) në stadiumin “Fadil Vokrri”.
Rezultati nga ndeshja e parë në Belgjikë (0:0), ka frikësuar drejtuesit e kësaj skuadre, të cilët edhe përkundër ambicieve të larta këtë edicion, për të arritur deri te grupet e Ligës së Konferencës, mund të dështojnë, nëse nuk e kalojnë pengesën e quajtur, Drita.
Drejtuesit e Antverpenit kanë arritur marrëveshje me futbollistin Gaston Avila, i cili vjen nga rradhët e skuadrës së madhe argjentinase të Boka Xhuniors.
Ai është një mbrojtës i gjithanshëm, me këmbë të majtë, i cili gjithashtu mund të luajë në mesfushë.
Avila sipas ‘Transfermarkt’ vlerësohet me çmimin 4.5 milionë euro, pak më shumë se i gjithë ekipi i Dritë, që vlen momentalisht 4.48 milionë euro.
Megjithatë, përkundër vlerës së lartë të ekipit të Antverpen, që në rradhët e veta ka edhe dy ish futbollistë të Totenhamit, mbrojtësin Toby Alderëeireld dhe sulmuesin Vinsent Jansen, por edhe ish mesfushorin e Romës dhe Interit, Raxha Naingolan, u pa qartë në ndeshjen e parë se ata nuk do ta kenë aspak të lehtë ndaj skuadrës gjilanase në ndeshjen e kthimit në tokën kosovare.