Berat Imeri debuton me fitore në bankinën e Voska Sport

Voska Sport i ka nisur me këmbë të mbarë ndeshjet kontrolluese, pjesë e përgatitjeve për sezonin e ri në Ligën e Dytë Unike, njofton “infOSport.mk”.

Skuadra shqiptare nga Ohri sot mundi Besën e Dobërdollit me rezultatin minimal 1:0, edhe pse ky rezultat mund të ishte më ndryshe, në rast se Ensar Luma dhe Vahit Murati gjatë pjesës së parë në vend  që të qëllonin shtyllën, do shënonin në rrjetën e Hadis Veli.

Ndryshe golin e vetëm dhe të fitores për Voska Sport në këtë përballje e realizoi Irfan Maksuti, një futbollistë që luan në qendër të mbrojtjes dhe që aktualisht ndodhet në prova te skuadra shqiptare nga Ohri.

Trajneri Berat Imeri, i cili në këtë mënyrë debutoi me fitore në bankiën e skuadrës sonë në këtë përballje ju dha mundësinë gjithë futbollistëve që kishte në disponim, duke luajtur me dy formacione të ndryshme.

Në pjesën e parë bëri një kombinim mes futbollistëve me përvojë dhe disa prej futbollistëve të rinj, madje edhe atyre që  janë ende në prova.

Në pjesën e dytë ndër futbollistët më aktiv në repartin e sulmit te Voska Sport dolën të jenë dy sulmuesit shkupjan, Behar Feta dhe Alen Jasharovski, të cilët në disa raste tentuan për të shënuar edhe golin e dytë, mirëpo pa sukses, ashtu që në fund ndeshja u mbyll me fitoren minimale të Voska Sport.

Kujtojmë që të dyja këto skuadra në sezonin e ri në Ligën e Dytë unike do të futen me shumë ndryshime në formacion. (infOSport.mk)

Leave a Reply