Liepaja eliminon edhe Gjilanin e Ramadanit

FK Liepaja nga Letonia, që edicionin e kaluar eliminoi Struga Trim Lum në raundin e parë eliminatorë të Ligës së Konferencës, një gjë të tillë ka bërë edhe këtë vit, duke eliminuar një skuadër tjetër shqiptare, këtë herë, Gjilanin nga Superliga e Kosovës, njofton “infOSport.mk”

Liepaja mundi 3:1 Gjilanin në ndeshjen e kthimit për turin e parë eleminator të Ligës së Konferencës, duke përmbysur gjithçka, me Skifterat e Gjilanit që në Prishtinë një javë më herët kishin fituar me rezultatin minimal 1:0.

Skuadra e strategut shkupjan, Zekirja Ramadani, nuk arriti dot të ruajë rezultatin e ndeshjes së parë, teksa kanë qenë dy penalti për vendasit.

Që të katët golat u realizuan gjatë pjesës së dytë, teksa sfidën hapi goli i Arturs Karasauskas nga penaltia në minutën e 49-të.

Nuk zgjati shumë dhe Gjilani u kundërpërgjigjë vetëm dy minuta më vonë me anë të Blerim Krasniqit, mirëpo serbi Nemanja Bellakoviç në të 64-tën sërish kaloi në epërsi Liepajan.

Kualifikimin më tej skuadrës letoneze ia siguroi vetëm braziliani Dodo me golin e realizuar në minutën e 88-të, sërish nga pika e bardhë.

Deri në fund Gjilani tentoi, mirëpo edhe koha e shkurtër nuk ju dha mundësinë atyre për të shpresuar për më shumë, ashtu që duheshe të pajtohen me fatin dhe të përshëndeten me garat europiane që pas raundit të parë eliminatorë. (infOSport.mk)

Leave a Reply