Gjatë ditës së djeshme, FC Shkupi, Tirana, Ballkani dhe Drita u njohën me vazhdimin e rrugëtimit të tyre në Europë. Nga 3 prej skuadrave shqiptare që luanin në turin e parë të Ligës së Kampionëve, vetëm skuadra shqiptare nga Maqedonia e Veriut, FC Shkupi, arriti që të kualifikohet në raundin e dytë.
Kampionja e Shqipërisë, Tirana u eleminua nga Dudelanzh pas 2 ndeshjesh me shifrat e përgjithshme 3:1, ndërsa Ballkani i dha lamtumirën Ligës së Kampionëve vetëm pas kohës shtesë, duke humbur minimalisht 1:0 nga lituanezët e Zhalgiris.
FC Shkupi pavarësisht disfatës 2:0 dje ndaj Lincoln RED IMPS FC në Gjibraltar, siguroi kualifikimin me rezultatin e përgjithshëm 3:2.
Drita e Ardian Nuhiut arriti kualifikimin në turin e dytë të Ligës së Konferencës pas fitores së madhe mbrëmë në “Fadil Vokrri”, 3:0 ndaj finlandezëve të Inter Turku, duke zhvlerësuar në këtë mënyrë fitoren minimale 1:0 të skuadrës kundërshtare në ndeshjen e parë.
Në vazhdim ju njoftojmë me skuadrat kundërshtare të ekipeve shqiptare që i presin në Europë.
FC Shkupi në turin e dytë eliminatorë të Ligës së Kampionëve do të përballet me Dinamo Zagrebin, derisa Tirana pas eleminimit që në turin e parë, tashmë rrugëtimin e saj do ta vazhdojë në Ligën e Konferencës, ku përballë do ketë boshnjakët e Zrinjski Mostar.
Skuadra kampione e Kosovës, Ballkani do të luaj përballë kampionëve të San Marinos, La Fiorita, që konsiderohet kundërshtar shumë i thjeshtë dhe realisht i kalueshëm, ndërkohë Drita në anën tjetër do ndeshet me belgët e Antverpen.
Ndeshjet në kuadër të Ligës së Konferencës në program janë me datë 21 dhe 28 korrik, ndërkohë FC Shkupi ndeshjen e saj të parë në transfertë kundër Dinamo Zagrebit do ta zhvillojë me datë 19 korrik. (infOSport.mk)