Arbin Zejnullai përfundoi te Egnatia

Mesfushori tetovar, Arbin Zejnullai sezonin e ri futbollistik do të luaj me skuadrën e Egnatias në Superligën shqiptare. 23-vjeçari, i cili së fundmi ishte pjesë e Rabotniçkit në futbollin tonë vendor, me skuadrën nga Rrogozhina ka nënshkruar kontratë 3-vjeçare.

I cilësuar si një ndër talentet e futbollit në vendin tonë, Zejnullai ishte pjesë edhe e NK Lokomotiva Zagreb në Kroaci, klub ky që njihet për kultivimin e talentëve, ndërsa gjithashtu kishte luajtur edhe 7 ndeshje me Kombëtaren U21 të Shqipërisë.

Ndryshe, Zejnullai është prodhim i shkollës së futbollit të Shkëndijës, me të cilën skuadër ka zhvilluar më së shumti ndeshje, gjithsej 92 ndeshje, 12 prej të cilëve në garat europiane.

Kujtojmë pjesë e Egnatias sezonin e kaluar ishin edhe plotë 5 futbollistë nga Maqedonia, si Besart Krivanjeva, Besar Iseni, Demir Imeri, Ilirid Ademi dhe Filip Duranski, mirëpo asnjëri prej tyre nuk vazhdoi qëndrimin, pas ikjes së trajnerit Zekirja Ramadani, i cili me skuadrën rrogozhinase luajti në balotazhin e mbijetesës për në Superligë, duke mundur Korabin e Peshkopisë.

Zejnullai bëhet kështu futbollisti i dytë nga Maqedonia, që do të veshë fanellën e Egnatias sezonin e ri, pas mbrojtësit Nehar Sadiki. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply