FC Prishtina gjatë ditës së sotme ka konfirmuar transferimin e mbrojtësit shkupjan, Besir Ramadani, me të cilin kanë nënshkruar kontratë dy vjeçare.
“infOSport.mk” një gjë të tillë kishte bërë të ditur që 10 ditë më parë, menjëherë pasi i njëjti kishte marrë dokumentacioni e duhur nga ekipi i tij i mëparshëm, Struga Trim Lum.
Ramadani edicionin e kaluar me ekipin strugan u paraqit në 20 ndeshje, përfshirë këtu edhe dy ndeshjet kualifikuese në Ligën e Konferencës kundër FK Liepaja.
Për Ramadanin është një privilegj i madh që do të veshë fanellën e Prishtinës, por njëkohësisht edhe përgjegjësi, pasi ambiciet e këtij klubi gjithmonë janë të mëdha.
“Të bartësh fanellën e Prishtinës është privilegj dhe emocion i veçantë, por gjithashtu edhe përgjegjësi e madhe pasi që dihet pesha e kësaj fanelle. Emri Prishtina tregon se ambiciet janë gjithmonë për trofe. Jemi shumë lojtarë të ri në ekip dhe me punën e trajnerit Ismet Munishi besoj se do t’i arrijmë qëllimet” – u shpreh Ramadani, i cili tregoi edhe arsyen pse vendosi ti bashkohet pikërisht skuadrës së FC Prishtinës.
“Prishtina është klubi më i madh në Kosovë, klub me traditë dhe me një tifozeri fantastike dhe për këtë arsye vendosa të vijë këtu. Do të jap 200 përqind nga vetja për këtë fanellë për t’i gëzuar tifozët “Plisat” dhe për t’i arritur synimet që janë titulli kampion dhe dalja në garat ndërkombëtare” – u shpreh Ramadani,
Për Ramadanin do të jetë hera e parë kjo që do të luaj jashtë vendit, pasi i njëjti kishte bërë karrierë në Maqedoni me FC Shkupin, Genç Kalemler dhe Gostivarin, ndërsa gjithashtu i njëjti ka luajtur edhe për përfaqësuesen U18 të Maqedonisë si dhe për Kombëtaren shqiptare U20 dhe U21.