Juventusi ka njoftuar zyrtarisht largimin e tre futbollistëve me peshë që ishin pjesë e “bardhezinjëve”. Fjala është për Alvaro Morata, Paulo Dybala dhe Federiko Bernardeski, të cilët nuk do të jenë më pjesë të “Zonjës së Vjetër”.
Marrëveshjet e Dybala dhe Bernardeski në Torino skadojnë sot, ndërsa Morata largohet në fund të një huazimi dyvjeçar.
Ai kthehet në Atletiko Madrid, ku kontrata e tij skadon verën e ardhshme.
Juventus kishte një opsion për ta bërë lëvizjen e tij të përhershme për 35 milionë euro, por vendosi të mos e aktivizonte atë.
Nga ana tjetër, Dybala është në dispozicion si lojtar i lirë, por ende nuk ka gjetur një klub të ri. Interi ka qenë në bisedime me përfaqësuesin e tij, por negociatat janë pezulluar pas rikthimit të Romelu Lukakut.