Xhelil Abdullah është një ndër futbollistët e ri të FC Shkupit, me të cilën skuadër do të bashkohet sot në Shkup, pasi ekspedita “bardheblu” pritet të rikthehet në kryeqendrën tonë nga Turqia, aty ku për 10 ditë zhvilloi fazën kryesore të përgatitjeve në prag të ndeshjeve europiane.
Siç mëson “infOSport.mk”, Abdullah me FC Shkupin ka nënshkruar kontratë një vjeçare, duke përforcuar dukshëm repartin e mbrojtjes, aty ku me mjaft sukses luante 6 viteve të fundit me Renovën.
Brenda këtyre 6 viteve, ai pati vetëm një aventurë të shkurtër 6 mujore te Llapi, duke arritur edhe deri te shiriti i kapitenit te Renova, për të cilën skuadër numëron gjithsej 147 ndeshje, 4 gola dhe 1 asist.
Edicionin e fundit me fanellën e Renovës, Abdullah regjistroi 30 paraqitje dhe 2 gola të shënuar.
Përveç Abdullah, emër i ri në rradhët e skuadrës kampione për sezonin e ri, do të jetë edhe Pepi Georgiev, me të cilin gjithashtu “bardheblutë” nga Çairi kanë arritur marrëveshje një vjeçare. Firma me ish sulmuesin e Akademia Pandev, erdhi vetëm pas largimit zyrtarë të Marjan Radeskit. (infOSport.mk)