Sulmuesi i Struga Trim Lum, Emir Skenderi karrierën e tij do ta vazhdojë në vendlindje, duke nënshkruar me ekipin e Makedonija GJ.P.
Informacione të besueshme pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se Skenderi me pëlqim të dyanshëm ka prishur marrëveshjen me Struga Trim Lum dhe se së shpejti do ti bashkohet skuadrës së Muharem Bajramit, me të cilën do të ketë mundësinë të luaj sërish në garat e Ligës së Konferencës.
Me ardhjen e Besart Ibraimit, 22-vjeçari e kishte kuptuar se do ta kishte të vështirë vendin e titullarit te Struga Trim Lum, ndërsa i njëjti beson se te skuadra shkupjane nga Gjorçe Petrovi do të ketë mundësinë të tregojë aftësitë e tij dhe se do të mund të bëjë edhe hapin final, drejt një transferimi jashtë kufijve të vendit.
Skenderi edicionin e kaluar me Struga Trim Lum regjistroi 30 ndeshje, duke realizuar 4 gola, ndërsa një gol tjetër realizoi edhe në ndeshjet e Ligës së Konferencës kundër FK Liepaja.
Ndryshe Skenderi kishte filluar me grupmoshat e reja të Akademia Pandev, nga e cila skuadër ishte huazuar te Kozhuvi dhe Tikveshi, ndërsa gushtin e vitit 2020 Struga Trim Lum vendosi ta blejë kartonin e tij nga skuadra nënkampione e vendit.
Ndryshe në Ligën e Parë, Skenderi numëron 57 ndeshje, 6 gola dhe 3 asistime. (infOSport.mk)