Shkëndija gjatë ditës së sotme do të zhvillojë edhe ndeshjen e tretë kontrolluese në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e turit të parë në Ligën e Konferencës kundër skuadrës armene të Ararat Yerevan, shkruan “infOSport.mk”.
Stërvitjet e kuqezinjve në Slloveni vazhdojnë të jenë intensive dhe forma e ekipit do të testohet sërish sot në ndeshjen e tretë kontrolluese ndaj Zrinjskit të Mostarit nga Bosnja e Hercegovina.
Do të jetë ky testi i radhës për “kuqezinjtë” nga Tetova, pas fitores me rezultatin 1:0 ndaj Mariborit dhe barazimit 1:1 ndaj Ferencvaroshit.
Ndeshja Shkëndija – Zrinjski do të luhet me fillim në ora 17:00, ndërsa do të jetë kjo ndeshja e parafundit për “kuqezinjtë” në tokën sllovene.
Ndeshjen e fundit do ta zhvillojnë me 26 qershor kundër gjigandëve kroat të Dinamo Zagreb. (infOSport.mk)