Shkëndija ka regjistruar edhe barazimin e dytë në ndeshjen e saj të tretë në Slloveni, aty ku tashmë disa ditë po zhvillon fazën kryesore të përgatitjeve për ndeshjet europiane që i presin “kuqezinjtë” këtë edicion, njofton “infOSport.mk”.
Pas barazimit 1:1 ndaj Ferencvaroshit hungarez dhe fitores minimale 1:0 ndaj kampionëve slloven të Mariborit, sot “kuqezinjtë” barazuan 3:3 përballë kampionëve të Bosnje e Hercegovinës, Zrinjski Mostar.
Doli të jetë kjo një super ndeshje, ku regjistruam edhe dy autogola, nga një në secilën anë.
Të parët në epërsi kaluan boshnjakët falë golit të shënuar nga Çuzhe, edhe atë vetëm pas 8 minutave lojë. “Kuqezinjtë” u kundërpërgjigjën 3 minuta para fundit të pjesës së parë, kur falë shënimit të Ferhan Hasanit barazuan rezultatin në 1:1, me të cilin rezultat skuadrat shkuan në pushim.
Pjesa e dytë doli të jetë edhe më interesante dhe më efikase, sidomos çereku i parë, kur brenda 13 minutave u realizuan 4 gola, nga dy në secilën anë.
Kamenar në minutën e 49-të kaloi sërish në epërsi Zrinjskin, mirëpo nuk vonoi shumë dhe një autogol i Mijatoviç në minutën e 52-të bëri që Shkëndija sërish të barazoj.
Rolin e Mijatoviç dy minuta më vonë në anën tjetër e morri, Mevlan Murati, i cili shënoi në rrjetën e gabuar, duke i mundësuar ekipit kundërshtarë që sërish të kalojë në epërsi, mirëpo që nuk zgjati edhe aq shumë, pasi në të 58-tën, Leard Sadriu barazoi shifrat në 3:3.
Në vazhdim të takimit të dy trajnerët provuan edhe disa nga futbollistët që kishin në bankinë, ndërsa kjo ndikoi në uljen e tempos dhe cilësisë së këtij takimi, që në fund u mbyll miqësisht. (infOSport.mk)